>

“Doko”, kompania që po shkëlqen në rajon, model suksesi dhe korrektësie

  • Flet administratori i kompanisë, Fatbardh Doko: Ja cili është çelësi i suksesit.

    “Doko” nuk është thjesht një kompani private. Ajo është kompani lider dhe shembull se si mund të jesh i suksesshëm në një fushë të vështirë. Është e vetmja për punimet e linjave të tensionit të lartë në Shqipëri dhe ndër të rrallat kompani që merr pjesë në tenderë dhe investime në vendet e rajonit.

    E vendosur në zonën e metalurgjikut, “Doko” e ka nisur aktivitetin si të gjitha kompanitë shqiptare, fillimisht në ndërtim e më pas për të kaluar në një biznes të vështirë ku edhe ka investuar të gjithë kapacitet duke u kthyer në atë që është sot.

    Vit pas viti është rritur dhe ka investuar në teknologji, kapacitete dhe rritjen e besueshmërisë në treg. Për të qenë të sigurt në investim, drejtuesit e kësaj kompanie vendosën të kishin edhe një linjë të prodhimit të bojërave "Doal paint". Edhe pse konsiderohet një aneks i kompanisë, ky aktivitet është konsoliduar dhe ecën paralelisht me linjën kryesore të biznesit.

    Tashmë "Doko" me grupin e saj të specialistëve është zhvendosur në linjat e tensionit të lartë në Malin e Zi për t'u spostuar më pas në Maqedoni me një profil të qartë si partner dhe zbatues në të gjithë rajonin.

    Presidenti i kompanisë"Doko", Fatbardh Doko

    Presidenti i kësaj kompanie Fatbardh Doko thotë se fillesat e biznesit kanë qenë si të shumë firmave të tjera shqiptare qysh në vitin 1994. "Kuptohet që nuk mund të quhej biznes në fillimet e tij sepse edhe Shqipëria nuk të jepte shumë mundësi. Kemi filluar me rehabilitim rrugësh në fshatra me Fondin e Zhvillimit Shqiptar. Këto ishin punime që sot quhen të papërfillshme në një biznes".

    Doko zbuloi se investimi në linjat e tensionit të lartë do të ishte e ardhmja e biznesit.

    "Filluam të përqendrohemi tek punimet elektrike dhe veçanërisht tek linjat e tensionit të lartë. Kemi filluar me një linjë 12 kv dhe ndërtimin e disa shtyllave dhe shtrirjes së përcjellësave. Jo se e menduam të fillojmë këtu por e solli rasti të kuptonim se ky sektor kishte më shumë nevojë. U bashkuam dy tre biznese dhe e realizuam. Ishte një punë jo e përmasave të mëdha por kjo na nxiti të mendojmë se fusha e energjitikës do të ketë të ardhme. Menduam të specializohemi tek kjo fushë, që ishte e vështirë por vështirësia e bënte më pak të konkurueshme".

    Kështu filloi Doko të përqendrojë fuqitë dhe të investojë hap pas hapi. " Në çdo projekt hidhnim një hap në investime duke u përgatitur për një projekt edhe më të madh dhe kështu nga viti në vit kemi bërë investime që janë të konsiderueshme jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan".

    Për shtrirjen rajonale, Fatbardh Doko thotë se tashmë në punimin e linjave të tensionit të lartë kompania ka kaluar në vendet fqinje. "Ne kemi investuar në makineri për punime specifike të cilat shtrihen në të gjithë rajonin. Jemi duke punuar në Malin e Zi 400 kv nga Budva në Cetinje. Para kësaj mbaruam një linjë 110 kv po në Malin e Zi. Pretendojmë të vazhdojmë me Maqedoninë dhe Rumaninë. Tentojmë të marrim punë në Ballkan për të vazhduar aktivitetin e kompanisë pasi tregu në Shqipëri është i vogël dhe ne duhet që ti mbajmë njerëzit në punë dhe ta vazhdojmë ritmin e punës".

    Sigurisht që konkurrenca në rajon rritet për Dokon. Tashmë kompanitë kanë historikun e tyre, vende të fuqishme lobimi dhe lufta për tenderët është e madhe. Fatbardhi thotë se forca është tek kapacitetet, puna dhe teknologjia. "Në rangun ndërkombëtar është e vështirë përballja pasi ne nuk jemi një kompani që kemi historik mbi 50-vjeçar. Ne hyjmë në gara që i përshtaten kapaciteteve tona. I gjithë ekipi ynë është një ekip i ri, që nuk ka eksperiencë në punimet që po bëjmë sot, por nga viti në vit i kemi shtuar për të arritur në nivelin që jemi sot. Kemi shfrytëzuar marrëdhëniet me firmat e huaja duke krijuar eksperiencë duke i futur njerëzit të marrin eksperiencë. Kemi arritur në një ekip që konkurron në rajon".

    Një ndër pikat e forta të suksesit të Dokos është investimi në kapacitete dhe teknologji. "Ndoshta jemi ndër të rrallët që nuk kemi ruajtur raporte fitimi dhe ka pasur raste që kemi punuar në një objekt vetëm për të investuar në makineri dhe pajisje. Kemi mbi 4 milion euro vetëm për makineri dhe pajisje për ndërtimin e linjave të tensionit të lartë".

    Doko është ndër të rrallat kompani që nuk ka zgjedhur të të investojë në zona të favorshme ekonomike por i ka mbetur besnike Elbasanit jo vetëm sa i përket punëtorëve por edhe parave të investuara në këtë qytet. "Ne kemi 250 punëtorë kryesisht nga Elbasanit. Po kështu edhe tepricat që kemi pasur i kemi investuar në Elbasan në një kompleks ndërtimi".

    Po cili është çelësi i suksesit i kompanisë lider në Shqipëri? Cilat janë pikat e forta dhe si e shikon të ardhmen Fatbardh Doko?

    “Nuk e them për mungesë modestie, por çelësi ynë i suksesit është korrektësia. Nëse nuk krijon probleme me investitorin ke rastin të vazhdosh edhe në punë të tjera me të dhe ai bëhet propagandues tek të tjerët i punës tënde. Në të gjithë vitet e punës sonë nuk kemi asnjë rast të vonesave të pagesave për furnitorët, për punonjësit, për partnerët si dhe për investitorin.

    Edhe pse kemi pasur edhe ne vështirësitë tona financiare por gjithmonë kemi qenë korrektë me punëtorët tanë, të cilat janë të gjithë të regjistruar sipas rregullave. Kjo ka bërë të krijojmë një marrëdhënie me tregun e punës pasi nuk hasim asnjëherë vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore".

    Suksesin e tij, Fatbardh Doko do ta ndajë dhe me të tjerët. Ai thotë se një biznes i nisur duhet të shkojë deri në fund edhe sikur një biznesmen të ketë hyrë me llogari të gabuara. Secili duhet ta dashurojë nismën e tij dhe të realizojë punë të suksesshme, të cilat do jenë garancia e tij për të rikuperuar dhe për të fituar suksesin".

    Për të ardhmen, Doko nuk ka plane të jashtëzakonshme por ka një qëllim. "Ne mundohemi të jemi avanguard për cilësinë e punimeve dhe teknologjinë. Tashmë konkurrencën e kemi me kompani të huaja, që potencialisht janë më të fuqishme. Ne mundohemi të shfrytëzojmë kapacitetet, eksperiencën dhe sakrificat që bëjmë për të qenë konkurrues edhe në nivelin rajonal tashmë".

    Fatbardhi tregon se kur startoi në fillim ndërtimi i linjave të tensionit të lartë, nuk mendohej si një biznes që do ecte, por si çdo biznes, edhe Doko zgjodhi një mundësi rezervë për tu zhvilluar. "Duke menduar se nuk do të ketë nevojë për linja gjithmonë, menduam se do kishim nevojë për këtë lloj biznesi siç është prodhimi i bojërave 'Doal Paint'. Kemi krijuar nëj aneks që është shumë i respektuar. Ne prodhojmë gamën më të gjerë të bojërave duke përfshirë disa lloje në shërbim të linjave të biznesit dhe familjarëve. Kemi krijuar një treg serioz me kompani private që merren më ndërtime industriale".

    Fatbardh Doko ofron modelin e suksesit në rrugën e drejtë. Ai është një mësim i mirë për të gjithë ato biznese që vazhdojnë të shfrytëzojnë punëtorët jashtë çdo kriteri, vonojnë pagesa e krijojnë detyrime zinxhir.