>

Restorant “Gjahtari”, ku të gjithë shijojnë traditën e kuzhinës shqiptare

  • Ruzhdi Halili: Gjithçka nisi nga pasioni për gjahun dhe kuzhinën

    I vendosur në një thyerje fantastike të relieveve ku lumë, mal dhe pyll i gjen bashkë, buzë rrugës kombëtare, "Gjahtari" ka ditur t'i përshtatet njerëzve, kohërave dhe shijes.

    Të gjithë janë ndalur qoftë edhe një herë, kanë shijuar kuzhinën e shijshme shqiptare, kanë provuar gatimet pikante apo mëngjes e kafe buzë natyre.

    Në këtë restorant kanë drekuar, kryeministra, ministra, diplomatë dhe njerëz të njohur, që vazhdojnë edhe sot duke mbetur pjesë e dëshirave dhe shijeve të një restoranti të traditës.

    I përuruar në 1 maj te vitit 2001 duke nisur me gatime të gjahut të egër, restoranti që ka ruajtur famën, erdhi vit pas viti duke shtuar ambiente, cilësi në shërbime dhe produkte.

    Nëse të bie të kalosh për në Librazhd gjithmonë e gjen plot dhe stafi është në punë për t'ju përgjigjur shijes së klientëve. Tradicionalja vazhdon t'i japë famë këtij restoranti, që bën një fundjavë të bukur, një pasdite relaksuese dhe një darkë mbresëlënëse.

    Duke qenë rreth 18 km larg qytetit të Elbasanit, u pa si i nevojshëm një tjetër investim gjigant, "Gjahtari 2". Klasikja e ndërthurur me modernen, ambiente të bollshme, kuzhinë tradicionale dhe evropiane janë një mundësi e mirë për elbasanasit dhe jo vetëm të zgjedhin restorantin e duhur për dreka apo darka jashtë si dhe për festa familjare.

    Ky investim e ka një protagonist. Ai është Ruzhdi Halili, që të gjithë e njohin si Gjahtar Ruzhdiu, për pasionin e tij të gjahut. Me kuzhinën ka lidhje të hershme dhe është i mirënjohur nga të gjithë.

    "Kam punuar si shef kuzhine tek Shtëpia e Oficerëve në Elbasan për shumë vite deri në ardhjen e demokracisë. Isha ndër të parët që dola privat dhe kam filluar me gjëra të vogla dhe ushqime të çastit. Vetëm në vitin 1993 hapa restorantin e parë "Daniela 1" për të vazhduar me 2 dhe 3 në vende të ndryshme brenda dhe jashtë Elbasanit".

    Ai është një i pasionuar pas gjuetisë dhe këtë e dinë shumë mirë ata që e njohin, por emri 'Gjahtari' dhe vendi i përzgjedhur për të ngritur restorantin e famshëm e kanë një histori nga pas. "Ky lloj restoranti erdhi pasi kisha një pjesë të shoqërisë që gjuante por nuk e shijonte gjahun. Atëherë fillova ta grumbulloja dhe e kisha si produkt ekstra në restorantin tim. Merrja gjahun jo vetëm në Shqipëri por edhe në Maqedoni dhe më pas e gatuaja.

    Ideja për të vendin dhe emrin erdhi pasi shpesh kur udhëtoja për gjah, shikoja këtë pozicion dhe mendoja të ngrija një restorant. Lejen e kam formalizuar qysh në vitin 1994 por për shkak të pasigurisë dhe trazirave u bë fakt në vitin 1998.

    Në këtë vend, edhe pse ishte larg qytetit, kombinohej në mënyrë perfekte natyra. Ndërtimet që kemi bërë janë shumë të thjeshta me gur dhe dru duke iu përshtatur panoramës, e cila nuk ka nevojë për zbukurim.

    Ndërkohë për emrin të gjithë më thërrisnin Gjahtar Ruzhdiu dhe sigurisht që duke më njohur të tillë m'u duk i përshtatshëm emri "Gjahtari", që më ishte kthyer nga të njohurit njëlloj nofke".

    Sigurisht që Ruzhdiu vazhdon me pasionin e tij të gjuetisë edhe pse moratoriumi nuk i jep liri brenda Shqipërisë.  "Gjuetia është sport, nuk ka lindur sot. Vazhdon në të gjithë botën. Ka stimulin dhe garën si dhe bëhet edhe një lloj seleksionimi që vetë natyra nuk e bën dot".

    Gjahtari 2

    Ndërsa lë natyrën fantastike buzë Shkumbinit ku tradita në kuzhinë mbizotëron, "Gjahtari 2" është një tjetër shije, një tjetër kombinim, një tjetër investim i Ruzhdiut dhe familjes së tij në qytetin e Elbasanit. Sigurisht që një emër i tillë do të kishte të kombinuar klasiken me elementët e gjahut, por edhe mundësitë e zgjedhjes. "Unë vetë nuk jam njohës i kuzhinës evropiane por këtu vendosa ta kem si ofertë për klientët duke marrë personelin e duhur dhe duke ofruar ato çfarë njerëzit kërkojmë më shumë në përditshmërinë e tyre".

    Me "Gjahtari 2" Ruzhdiu e ka mbyllur rrjetin e tij dhe është duke investuar që ky i fundit të jetë në listën e restoranteve të preferuara për të gjithë.

    Për të arritur suksesin ai mendon se kanë ndikuar mjaft fakti që është vetë kuzhinier, angazhimi i familjes si staf pune duke i specializuar fëmijët në drejtime të ndryshme, po kështu edhe shërbimi cilësor.

    "Unë punoj bashkë me familjen në të dy restorantet. Të gjithë bashkë kemi një qëllim dhe kjo mendoj se na ka bërë të suksesshëm. Nuk i kemi bërë kurrë reklamë biznesit por me shërbim, cilësi dhe shpejtësi kemi konkurruar dhe jemi sot në këtë stad".

    Mendimi i tij është se restorantet e ndjejnë të fundit krizën. "Në Shqipëri janë hapur si fillim restorantet dhe do të mbyllen të fundit. Kriza është ndjerë nga familjet, por ne jemi përshtatur tregut dhe mundohemi ti përshtatemi kërkesave të klientëve".

    Ai thotë se biznesi ka nevojë për përkrahje nga shteti. "Në fillimet tona kemi pasur një formë përkrahjeje nga shteti pasi tatimi ka qenë fiks. Tani ka ndryshuar shumë puna. Mendoj se për të konsoliduar investimin të gjithë kanë nevojë për një lloj dashamirësie dhe mbështetje nga strukturat shtetërore".

    E ndërsa shijon një drekë të shijshme me kombinime përzgjedhjesh dhe servirjesh, Ruzhdiu të fton të shkruash përshtypjet. Një bllok interesant që në fletët e tij ka klientë në gjuhë të ndryshme që kanë vendosur me mbresa dhe vlerësime të lenë mendimin e tyre për këtë restorant.

    "Ne kemi libër përshtypjesh të klientëve tanë. Unë dua ta marr mendimin e klientit në të gjitha mënyrat dhe një prej tyre është libri i përshtypjeve. Kjo na bën, që të përmirësojmë cilësinë dhe të mbajmë ritmin nëse vlerësimet janë pozitive. I kemi në gjuhë të ndryshme duke marrë vlerësime edhe nga diplomatë, të ftuar, miq dhe shqiptarë të larguar, që janë rikthyer në restorantin tonë".

    Gjahtari 1 dhe 2 mbeten dy mundësi dhe një zgjedhje nëse duam natyrën, ushqimin cilësor, shërbimin perfekt dhe shijen e veçantë.