>

Prefekti i ri i Elbasanit kritika kompanive që mirëmbajnë rrugët

  • Gledian Llatja drejtoi mbledhjen e parë me emergjencat civile, si prefekt i Qarkut të Elbasanit, detyrë të cilën e mori vetëm një ditë më parë.

    Ndërsa bëri një përmbledhje të situatës në qark për shkak të motit të keq, Llatja u tregua i prerë dhe i qartë me kompanitë koncesionare për mirëmbajtjen e rrugëve të cilat i kritikoi për shkak së nuk ju përgjigjën në kohë emergjencës dhe furnizimi me kripë nuk ishte i mjaftueshëm.

    Kryetari i Bashkisë së Elbasanit në fjalën e tij ngriti shqetësimin e tij për investimet emergjente që nevojiten për shtratin e përroit të Zaranikës dhe atij të Manazderes duke kërkuar mbështetjen e prefektit për ta përcjellë këtë shqetësim.

    Në Bashkinë e Gramshit, rruga e Kodovjatit nuk ka kompani mirëmbajtëse dhe ky shqetësim është përcjellë nga nënkryetari i Bashkisë i cili shtoi gjithashtu edhe problematikat e aksit nacional Cerrik-Gramsh. Bien në sy zgjidhja e problematikave përsa i përket furnizimit me energji elektrike. Drejtori i OSHEE tha se në të gjithë qarkun asnjë abonent nuk ka mungesë energjie.

    Fatmirësisht gjatë ditëve me mot të keq nuk ka pasur emergjenca shëndetësore ndërsa mësimi në shkolla është ndërprerë në ato zona ku pati probleme. Edhe pse në shumicën e territorit është kthyer normaliteti, ende ka fshatra të thellë në Bashkinë e Librazhdit të bllokuar ku trashësia e dëborës ka kaluar 1 metër.