Dëmtohet shpella e eremitëve në Prrenjas. Kryebashkiakja jep alarmin

Kryebashkiakja e Prrenjasit, Miranda Rira, ka ngritur alarmin për dëmtimin e një prej shpellave krejt të veçanta në Shqipëri e ndoshta në Ballkan, atë të Orakullit brenda së cilës ndodhet kisha e eremitëve të mesjetës.
Sipas informacioneve të marra, shpella dhe pikturat e kishës po dalin jashtë funksionit.
Nisur nga ky shqetësim, kryebashkiakja ka shkuar vetë në shpellë dhe e ka inspektuar atë nga afër. Nisur nga ajo q ë ka parë ajo ka dhënë alarmin për digasteret përgjegjëse, për Ministrinë e Mjedisit, Inspektoriatin e Mjedisit etj.
Gjithashtu ajo ka premtuar se bashkia Prrenjas do ndërmarrë hapat e saj për ta mbrojtur këtë trashëgimi të pasur të historisë.
Ja çfarë shkruan Rira:
Shpella e Orakullit ose Kisha e Orakullit ne fshatin Urakë, qe ka marre edhe emrin e këtij monumenti kulture, është një mrekulli tjetër e bashkisë Prrenjas.
Një provë e eremitëve të mesjetës, që tregon edhe gjurmët e krishtërimit të hershëm iliro-shqiptar në trevën e Rrajcës dhe zonave përreth.
Nisur nga një shqetësim i disa banorëve , shkova vetë e vizitova dhe vura re se po shkatërrohet pak nga pak nga njerëz grabitqarë, nga një gurore qe grabit gurët e shpellës dhe shpatit të malit për biznes te paligjshëm.
Bashkia do të marrë masa të menjëhershme. I bëj thirrje Ministrisë së Mjedisit dhe Inspektoriatit Mjedisor të Elbasanit, të inspektojë lejet që kanë dhënë vetë, dhe të ndalojë këta shkatërrues të historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore!