>

Ulen temperaturat, dëbora mbulon fshatrat malorë në Elbasan

  • Gjatë gjithë natës së kësaj fundjave reshjet e para të dëborës kanë rënë edhe në një pjesë të Qarkut të Elbasanit. Burime zyrtare raportuan se bora ka shkuar në një trashësi nga 10-15 cm në malin e Shebenikut, Sopotit, Polisit dhe Qarrishtës si dhe disa nga fshatrat më malorë të Librazhdit.

    E njëjta situatë raportohet edhe në Njësinë Administrative Steblevë, ku siç raporton drejtuesi i saj Alban Fejzo, pothuajse të gjitha fshatrat e Steblevës janë zgjuar të shtunën të mbuluar nga një shtresë e hollë dëbore, ndërsa temperaturat janë ulur ndjeshëm.

    Sipas Fejzos janë marrë të gjitha masat nga ana e pushtetit vendor që ky dimër sado i “egër” të jetë të përballohet me sukses. Për çdo problematikë që mund të krijohet janë marrë të gjitha masat që të zgjidhet në kohë rekord duke filluar nga hapja e rrugëve deri te ndihma emergjente.

     

    Në çdo skaj të njësisë kemi një plan të detajuar masash perfekte për t’iu gjendur pranë komunitetit, theksoi Alban Fejzo, administrator i Steblevës një prej zonave më malore të rrethit të Librazhdit.
    Kjo njësi administrative është mjaft e frekuentuar nga turistët gjatë gjithë vitit sidomos gjatë stinës së dimrit. Edhe këtë vit nga rënia e reshjeve të para pritet të kthehet në një nga destinacionet e preferuara për vendasit dhe të huajt.

    (BalkanWeb)