>

Shpëtoi fëmijën 14 vjeç, shqiptari ‘hero’ në Austri

  • Emigrantët shqiptarë në vende të ndryshme të botës kanë dalë në media për vepra të ndryshme penale. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, pasi ka prej atyre emigrantësh që janë shndërruar në ambasador të shqiptarëve.

    Një shqiptar nga Podujeva, Muharrem Behrami ka shpëtuar një fëmije, i cili kishte mbetur i mbyllur brenda një oxhaku në Austri, raporton BalkanWeb. Ka qenë kosovari që ka dëgjuar të bërtiturat e 14-vjeçari, ndërsa  ai menjëherë njoftoi policinë dhe zjarrfikësit, të cilët arritën ta shpëtonin pas ndërhyrjes në një kohë shumë të shpejtë, raporton BalkanWeb.

    Rasti në fjalë ka marrë vëmendjen e medias vendase, madje edhe gazeta “Land Leute” i ka kushtuar një faqe të plotë veprimit heroik të shqiptarit, i cili jeton prej vitesh në Linz të Austrisë.

     “Një nga banorët e lagjes, shoferi i kamionit, Muharrem Behrami, dëgjoi thirrjet për ndihmë nga 14-vjeçari në 1:30 të mëngjesit. Kosovari menjëherë lajmëroi policinë. Dy zyrtarë kontrolluan të gjitha apartamentet, por fillimisht nuk gjetën asgjë. U deshën gati dy orë që britmat më në fund të lokalizoheshin.

    Kur ishte e qartë se në cilën situatë ishte djali, departamenti i zjarrfikësve u alarmua në orën 3:30. Shpëtimi i fëmijëst nuk ishte aq i lehtë. Nëpërmjet një ngushtice, forcat e punës mund të preknin krahët e Bibenit të dëshpëruar.

    Ai po merrte frymë, por i mbërthyer në oxhaqet e ngushta dhe plotësisht i pafuqishëm. Në orën 4:30, fëmija u lirua më në fund nga oxhaku. Ai ishte plotësisht i lodhur dhe i çrregullt. Pas ndihmës së tij të parë nga ambulanca, ekipet mjekësore e çuan në spital”, shkruan gazeta.

    Muharremi  është shprehur se nuk e konsideron veten shpëtimtar, por këtë meritë tha ai e meritojnë zjarrfikësit dhe policia.

    “Unë vetëm e kam bërë detyrën time si dhe e kam marrë telefonin. Heronjtë e vërtetë të natës janë zjarrfikësit, policia dhe ekipet e shpëtimit”, tha shqiptari për mediat vendase.